Të enjten e kaluar në orën dy pasdite eca gjithë gjatësinë e Bulevardit Nënë Tereza dhe i numërova vendet ku një njeri mund të rrijë jashtë diellit. Ishin nëntë, dhe gjashtë prej tyre ishin të kafeneve, që do të thotë se kushtonin mes një euro e pesëdhjetë dhe dy euro e njëzet.
Kjo s’asht ankesë për kafenetë. Asht vërejtje se hapësira jonë publike ma e suksesshme kthehet, për rreth pesë orë në ditë verës, në një vend që mund ta zësh rehat veç tue blerë diçka. E këmbësorizuam bulevardin e pastaj e lamë në diell të plotë.
“Hija asht luksi publik ma i lirë që ekziston, dhe ne vazhdojmë me e trajtue si dekor.”
Biseda për dizajnin në këtë qytet asht pothuajse tërësisht për sipërfaqe — veshje, gur, a e respekton gjëja e re gjënë e vjetër. I kam shkrue disa prej atyre kolumneve. Janë kolumnet ma të lehta për me u shkrue, sepse të gjithë tashmë kanë mendim dhe mendimi s’kërkon asnjë matje.
Pjesa 01Versioni i matshëm
Një rrap i rritur e ul temperaturën e perceptuar nën të prej shtatë deri dymbëdhjetë gradë. Një pergolë me hardhi e bën shumicën e kësaj brenda katër vjetësh. Një tendë e tërhequr prej pëlhure e bën menjëherë, kushton ma pak se kalldrëmi mbi të cilin qëndron, dhe hiqet në tetor kur e duam prapë diellin.
- Drunj aty ku ka dhé, çka janë ma pak vende sesa pretendojmë.
- Pergola aty ku s’ka, çka asht shumica e qendrës.
- Pëlhurë aty ku na duhet këtë verë e jo në vitin 2031.
Asgjë prej kësaj nuk kërkon plan zhvillimor, konsulent ose debat për identitet. Kërkon një rresht buxheti dhe dikë të gatshëm me u fotografue nën një mushama. Unë vij te fotografia.



